A mund të tejkalohet ankthi apo depresioni vetëm me psikoterapi dhe pa medikamente?

Nëse e keni pyetur ndonjëherë vetën nëse ankthi, depresioni apo çrregullimet tjera jo psikotike, mund të tejkalohen vetëm me psikoterapi dhe pa medikamente, përgjigja është një po e fuqishme. Secili profesionist i shëndetit mendor, i përditësuar me zhvillimet e fundit për më shumë se një dekadë në fushën e psikoterapisë, besoj se do ta thoshte të njëjtën gjë.

Pothuajse në të gjitha vendet e zhvilluara, psikoterapia është “linja e parë e trajtimit”, para fillimit të intervenimit me medikamente, në shumë çrregullime mendore. Është e vërtet që medikamentet e kanë rolin e tyre, posaçërisht kur nevojitet stabilizimi i menjëhershëm i klientit. Shpesh herë kombinimi i dyjave është i nevojshëm, për faktin që nevojitet veprimi i medikamenteve në mënyrë që të maksimizoj efektin që do të arrihet me psikoterapi.

Por, psikoterapia edhe si terapi e vetme është një fuqi e dëshmuar e trajtimit, dhe këtu nuk ka rëndësi nëse është Psikanalizë, Terapi Kognitive Biheviorale, Psikoterapi nder personale apo një qasje tjetër. Të gjitha vlejnë. Qasjet e caktuara janë me efektive ne çrregullime te caktuara normalisht.

A është e vërtet kjo që po them ne lidhje me psikoterapinë, pse edhe si, me poshtë i keni argumentet:

Sipas Asociacionit të Psikologëve Amerikan, hulumtimet shkencore dëshmojnë se psikoterapia është po aq efektive sa medikamentet apo ilaçet në trajtimin e ankthit dhe depresionit, dhe pa efekte anësore të tilla si shtimi në peshë, probleme me gjumin, humbja e energjisë apo potenciali për varësi që kane ilaçet. Për më tepër, psikoterapia është më efektive në planin afatgjatë dhe efektet e saj janë më të qëndrueshme se sa të ilaçeve në trajtimin e shumë problemeve emocionale apo psikike. Në fakt, jo vetëm që është më kosto-efektive, por psikoterapia çon në më pak relapse (rikthim) të ankthit dhe depresionit të lehte dhe të moderuar, sesa vetëm përdorimi i ilaçeve. Për këtë arsye, ne shumë vende të zhvilluara janë nxjerrë udhëzime të reja në lidhje me trajtimin e depresionit dhe të ankthit si dhe çrregullimeve të tjera jo psikotike, duke deklaruar se ndërhyrjet psikologjike, pra psikoterapia, e jo medikamentet, duhet të aplikohen së pari apo të jenë zgjedhja e parë për intervenim.

Medikamentet janë të përshkruara shumë shpesh për ata që luftojnë me depresionin dhe ankthin, dhe kjo formë e trajtimit sigurisht ka vendin e saj në trajtimin e çrregullimeve mendore. Ne e dimë se medikamentet funksionojnë duke ndryshuar apo korrigjuar pabarazitë në substancat kimike të trurit të quajtura neurotransmetues, duke rezultuar në uljen e simptomave të depresionit, ankthit, ADHD, manisë, çrregullimeve psikotike si dhe çrregullimeve të tjera të shëndetit mendor. Dhe këto ndryshime më pas i lehtësojnë simptomat apo vështirësitë për shumë njerëz që kanë këto probleme.


A MUND T’I SHKAKTOJ KËTO NDRYSHIME EDHE PSIKOTERAPIA?

Hulumtime të shumta për më shumë se një dekadë, kanë dëshmuar se psikoterapia shkakton ndryshime të ngjashme në trurin tonë. Më fjalët të tjera, trajtimi i shumë problemeve psikike dhe emocionale, me një këshilltar apo psikoterapeut të aftë, mund të sjellë ndryshime në tru që ul simptomat e ankthit, depresionit apo edhe vështirësive tjera, dhe atë pa efekte anësore të mundshme të ilaçeve apo medikamenteve.

Sipas Asociacionit të Psikiatërve Amerikan, psikoterapia ka edhe dimensionin e saj "biologjik" në atë mënyrë që mund të çojë në ndryshime funksionale dhe strukturore në tru, ku psikoterapia dhe medikamentet prodhojnë ndryshime çuditërisht të ngjashme në trurin tonë. Ka ende shumë për të mësuar rreth kësaj teme dhe cili është mekanizmi përmes së cilës psikoterapia arrin këtë efekt, por më poshtë janë disa shembuj të asaj që hulumtuesit kanë gjetur deri më tani.

Në një studim, hulumtuesit në UCLA (University of California, Los Angeles) zbuluan se njerëzit që vuanin nga depresioni kishin një aktivitet të lartë anormal në një zonë të trurit të quajtur korteksi parafrontal. Ata që janë trajtuar me psikoterapi (Psikoterapi Nderpersonalë), treguan një rënie të aktivitetit në korteksin parafrontal pas trajtimit. Me fjalë të tjera, psikoterapia dukej se "normalizonte" aktivitetin e trurit në këtë rajon hiperaktiv, në të njëjtën mënyrë që e bënin tabletat antidepresant paroxetine (Paxil).

Një tjetër studim, është gjetur që njerëzit që kanë çrregullim obsesiv kompulsiv (OCD), të cilët tentojnë të kenë një zonë tepër aktive të trurit të quajtur “caudate nucleus”. Trajtimi me qasjen psikoterapeutike të quajtur terapia e sjelljes dhe njohëse (CBT) u shoqërua me një ulje të hiperaktivitetit në këtë strukturë të trurit, duke treguar efekt të ngjashëm sikurse antidepresanti fluoxetine (Prozac).

Ne e dimë qe te gjitha mendimet, ndjenjat dhe sjelljet burojnë nga truri jone, po ashtu edhe vështirësitë emocionale apo edhe çrregullimet mendore. Me një fjalë, truri ynë ndikon në përvojat tona dhe përvojat tona prekin trurin tonë.

Një shembull i kësaj lidhjeje midis përvojës sonë dhe funksionimit të trurit tonë është përvoja e traumës. Stresi Post Traumatik ndryshon jo vetëm kiminë e trurit, por edhe strukturën aktuale të trurit, duke përfshirë amygdalën, hippocampusin dhe korteksin parafrontal. Kimikatet e trurit si kortizoli dhe norepinephrina, të cilat luajnë një rol në kujtesën dhe reagimin tonë ndaj stresit, gjithashtu mund të humbin balancimin nga përvoja e traumës.

Një shembull tjetër se si përvoja jonë e jetës ndryshon trurin tonë është mësimi. Truri ndryshon sa herë që mësojmë diçka të re. Studimet kanë treguar se kur mësojmë diçka të re, lidhjet sinaptike në mes të neuroneve në tru janë forcuar.

Aftësia e trurit tonë për të ndryshuar, riparuar veten dhe përshtatur në reagime ndaj përvojave tona ka të bëjë me diçka të quajtur “neuroplasticitet”. Gjatë gjithë jetës, truri ynë krijon rrugë të reja nervore, dhe lidhje të reja.

Pra, nëse përvojat e jetës si trauma ose të mësuarit diçka të re mund të ndryshojnë strukturën tonë të trurit dhe funksionimin e neurotransmitereve, ç'do të thotë kjo për psikoterapinë?

Përgjigja është që psikoterapia, po ashtu ndikon në krijimin e rrugëve apo shtigjeve të reja nervore apo edhe lidhjeve te reja sinaptike. Dhe kjo tashmë është e pranuar sepse është e dëshmuar shkencërisht.

Psikoterapia mund të duket të jetë thjesht një bisedë mes klientit dhe terapistit, ku flitet për problemet dhe simptomat e klientit në një mjedis mbështetës, por shumë më tepër se aq ndodh. Shpesh, terapia fokusohet në njohjen dhe ndryshimin e modeleve të besimeve dhe të mendimeve që shkaktojnë vuajtje dhe vështirësi emocionale. Ndonjëherë, modelet tona të mendimit janë kaq automatike dhe pa vetëdije që ne as nuk i vërejmë ato. Sa shpesh mendojmë për të menduarit tonë? Mendimet shpesh çojnë në ndjenja të cilat, nga ana tjetër, çojnë në sjellje. Depresioni është një shembull. Mendimet depresive mund të rrisin ndjenjat depresive, duke çuar në sjelljet e pasivitetit dhe izolimit. Ndjenjat e depresionit na bëjnë që të qëndrojmë në shtrat dhe të tërheqim mbulesat mbi kokën tonë. Në rastet e depresionit klinik të rëndë, mjekimi mund të jetë i nevojshëm për të ndihmuar njerëzit të marrin maksimumin nga këshillimi apo psikoterapia, por psikoterapia si e vetme, gjithashtu mund të punojë për të ndryshuar aktivitetin e trurit dhe disbalancin kimik ne tru, e që kontribuojnë në një gjendje shpirtërore siç është depresioni.

Psikoterapia efektive është ajo e cila mbështetet në evidencën shkencore dhe praktikat më të mira profesionale, ndërsa një psikoterapeut i mirë është ai i cili vazhdimisht përmirësohet përmes zhvillimit profesional dhe personal. Një psikosterapeut i mirë mund t'ju ndihmojë të përballoni ndjenjat, të zgjidhni problemin dhe të ndryshoni modelet e sjelljes që mund të kontribuojnë në simptomat apo vështirësitë tuaja.

Pra, varësisht nga çrregullimi specifik, nganjëherë ilaçet funksionojnë më së miri, ndonjëherë psikoterapia është alternativa më e mirë, dhe nganjëherë është një kombinim i dyjave. Ndodhë që në disa raste edhe psikoterapia të mos këtë efektin e dëshiruar, siç ndodhë edhe që në shume raste edhe trajtimi me vite me medikamenete nuk ka treguar sukses

Megjithatë, ju mund te arrini te tejkaloni ankthin apo depresionin pa medikamente dhe vetëm me psikoterapi.

Brikena Krasniqi Hoti - Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

Mr.sc ne Psikologji Klinike dhe Shëndeti