X
GO
en-GBsq-ALsr-Latn-RS

Ankthi Social apo Fobia Sociale, çfarë duhet të dimë?

Ankthi Social apo Fobia Sociale, çfarë duhet të dimë?
Nazlije Berisha
/ Categories: Blog

Po flasim për një proces të bashkëveprimit dhe krijimit të marrëdhënieve me njerëz, që tek një numër të caktuar të popullatës provokon ankth dërmues, ndjenjë terrori dhe në shumicën e rasteve ky proces shmanget.

Në përditshmërinë tonë, takojmë shumë njerëz që janë të turpshëm, lehtësisht vihen në siklet ose janë disi të frenuar, apo ne jemi njëri prej tyre.

Ndërsa, kur flasim për Ankthin Social është shume më tepër se sa të ndihesh në siklet në situata të ndryshme sociale, si p.sh. kur je në një intervistë pune, në takimin e parë me një shok/shoqe apo edhe para një prezantimi në klasë apo fakultet, në të cilat ajo që ndjejmë janë kryesisht “flutura në bark”.

Në këto raste, personi ia del të menaxhojë ankthin, dhe duke qëndruar në atë situatë, ankthi zbehet ose ulet intensiteti i tij. Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për Ankthin Social, si një lloj çrregullimi emocional, ballafaqimi në këto situatat sociale pothuajse gjithnjë provokon ankth ose frikë të tmerrshme, duke bërë që ato situata të shmangen, durohen me frikë ose ankth intensiv ose personi largohet në mes të situatës.

Për shkak se turpi, shmangia apo të qenit i frenuar, konsiderohen tipare të zakonshme në personalitetin e shumë njerëzve në mesin e popullatës, vuajtjet që ndërlidhen me ankthin social minimizohen dhe rëndësia e trajtimit për këtë çrregullim neglizhohet.

 

Çka është ankthi social?

 

Është frikë ekstreme, irracionale në një ose më shumë situata sociale, në të cilat individi është i ekspozuar ndaj shikimit, vështrimit nga të tjerët ose në të cilat situata kërkohet ndërveprim me njerëzit e tjerë.  Kur po themi frikë  “irracionale”, këta persona janë të vetëdijshëm që kjo frikë është e paarsyeshme,  por nuk është në dorën e tyre dhe nuk mund ta kontrollojnë atë. Frika nga vlerësimi dhe gjykimi negativ nga të tjerët është i vazhdueshëm dhe kronik, si dhe nuk përmirësohet vetvetiu. Paradoksi qëndron në atë që njerëzit me ankth social duan të zënë miq, të përfshihen në grupe, të përfshihen dhe të angazhohen në ndërveprime sociale. Por, ankthi social i pengon njerëzit që të jenë në gjendje të bëjnë gjërat që duan të bëjnë. Edhe pse ata duan të jenë miqësorë, të hapur dhe të shoqërueshëm, është frika apo ankthi që i pengon.

 

Çka e shkakton ankthin social?

 

Mosha kur mund të shfaqet çrregullimi i ankthit social është fëmijëria e hershme ose adoleshenca dhe në shumicën e rasteve, përvojat e hidhura në  krijimin e raporteve sociale luajnë rol të madh, siç mund të jetë: ngacmimi i vazhdueshëm apo bullizmi në shkollë, prindër tejet kritikues dhe kërkues, ngjarjet e ndryshme traumatike, etj. Po ashtu, faktori gjenetik dhe temperamenti i personit kanë rëndësi të madhe. Hulumtimet kanë treguar se një pjesë e madhe personave që kanë këtë çrregullim dhe nuk kanë marrë trajtim profesional, nuk janë martuar, shumë prej tyre e kanë lënë shkollimin përgjysmë ose punojnë në pozita që janë më të ulëta në krahasim me nivelin e tyre të edukimit.

 

Cilat simptoma e shoqërojnë ankthin social?

 

Emocionet që shoqërojnë ankthin social përfshijnë nivelet e larta të frikës, nervozizmin,  rrahje të shpejta të zemrës, skuqjen në fytyrë apo qafë, djersitjen e tepërt, fytin dhe gojën e thatë, dridhjen e gjymtyrëve, i shmangen kontakti me të tjerët drejtpërdrejt me sy, mendime dhe vlerësim negativ për vetën. Ata e perceptojnë audiencën tejet kritike ose me standarde apo kërkesa të larta, të cilat këta persona mendojnë se s’mund t’i arrijnë. Ata po ashtu janë më të ashpër në vlerësimin e vetës dhe sjelljeve të tyre se sa vëzhguesit objektiv ose të pranishmit. Në disa situata, njerëzit me këtë çrregullim, mund të përjetojnë edhe sulme paniku, por ankthi i vazhdueshëm, apo frika e fortë dhe intensive është simptoma më e zakonshme. Mendimi se të tjerët e kanë hetuar dhe po e vërejnë ankthin dhe  pasigurinë e tyre, u sillet vazhdimisht në kokë dhe ua përkeqëson gjendjen.

 

Cilat janë situatat sociale ku mund të shfaqet ky lloj ankthi?

 

Ankthi social mund të shfaqet në një situatë të vetme ose të përfshijë disa situata, p.sh. frikën e ndërveprimit social (p.sh., t’i prezantohesh dikujt për herë të parë, t’i bashkëngjitësh bisedës në një grup njerëzish; të tregohesh këmbëngulës apo bindëse, kur takohesh me njerëz me autoritet ose figura të rëndësishme),  ankthi apo frika nga performanca (p.sh., kur je ne qendër të vëmendjes, duke folur publikisht, duke luajtur një instrument muzikor)  dhe frikën e vëzhgimit apo observimit (p.sh., duke punuar ose shkruar para të tjerëve, duke kaluar rrugës, duke ngrënë në prani të tjerëve, etj.)

 

Kur duhet të kërkojmë ndihmë profesionale?

 

Në shumicën e rasteve, njerëzit që vuajnë nga ankthi social, nuk kërkojnë ndihmë, përderisa nuk e zhvillojnë edhe një çrregullim tjetër përcjellës, siç mund të jetë depresioni, çrregullimi i panikut apo abuzimi me alkool apo droga, gjë që e rëndon më shumë problemin. Për të vlerësuar nëse keni nevojë për ndihmë, duhet të kuptoni së pari dallimin ndërmjet ankthit social normal dhe atij problematik. Ankthi social është pjesë e secilit prej nesh dhe si i tillë, me asnjë metodë dhe në asnjë mënyre nuk mund të zhduket tërësisht. Ky lloj ankthi në një intensitet jo të lartë, mund të jetë i dobishëm sepse na ndihmon të përshtatemi në situata të ndryshme duke u mobilizuar të japim më të mirën prej nesh. Megjithatë, nëse vlerësojmë se ankthi social po na shkakton vuajtje, po e dëmton jetën tonë apo e pengon funksionimin e përditshëm, duhet të kërkojmë ndihmë profesionale tek psikologu klinik apo psikiatri. Sa  më herët të fillon trajtimi aq më të mira janë rezultatet.

Autore: Brikena Krasniqi Hoti, specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

 

 

 

Previous Article Çka konsidertohet stres kronik?
Print
1933 Rate this article:
No rating

Name:
Email:
Subject:
Message:
x

Prishtina Office

Kontakti Prishtinë
Str. Gazmend Zajmi, No. 42
10 000, Prishtina, Kosovo
Phone: +381(0)38/230104
E-mail: labirinti@gmail.com

Gjilan Office

Kontakti Gjilan
Str. Adem Jashari, No. 94/B
60 000 Gjilan, Kosovo
Phone: 0280 32 54 00
E-mail: labirinti@gmail.com

Prizren Office

Kontakti Prizeren
Str. Marin Barleti, No. 5
20 000 Prizren, Kosovo
Phone: 029 22 30 21
E-mail: labirinti.pz@gmail.com

Contact Us

Your Contact Information

Your Feedback